Për të mos u humbur: Ekspozita “Seaside Painting” në TEG frymëzuar nga peizazhi i Green Coast
TEG ka hapur dyert për një tjetër aktivitet në mbështetje të rinisë, artit dhe kulturës. Ambientet e tij kanë shërbyer si vitrinë për pikturat e tetë studentëve nga Akademia e Arteve, Tiranë, të cilat janë rezultat i frymëzimit nga peizazhi i bregdetit të Green Coast, Palasë, për të krijuar një ekspozitë tejet të veçantë. E vendosur tanimë pranë hyrjes së gjelbër në TEG, ekspozita i jep të gjithë vizitorëve mundësinë të kundrojnë peizazhin magjepsës të bregdetit Jonian nga duart e artistëve të rinj.
Studentët zhvilluan një seminar pranë Galeria by TEG, qendrën e vetme tregtare në rivierën shqiptare, e ndërsa ishin të udhëhequr nga piktorë profesionistë dhe pedagogët e tyre, zgjodhën përkatësisht elementet që i frymëzonin për t’i hedhur ato në kanavace e për t’i realizuar këto vepra me teknika të ndryshme të pikturës.
Dritan Nasi, pedagog në Universitetin e Arteve dhe organizator i projektit, thekson se ekspozita është një pasqyrë e bukurive të rivierës shqiptare dhe ka për qëllim të shtojë kureshtje dhe bashkëveprim midis vizitorëve të qendrës tregtare dhe pikturave. “Kjo ekspozitë është një frymëzim i drejtpërdrejtë nga zona e Green Coast dhe një mundësi për të mbështetur artistët e rinj,” thotë Nasi, duke theksuar më tej se veprat e tyre simbolizojnë sezonin e bukur turistik të këtij viti në bregdetin e Green Coast, ku plazhet me rërë dhe guralecë, si dhe larmia e gjelbërimit, janë ftesa e çmuar për ta vizituar.
Në vazhdën e iniciativave për të mbështetur studentët, kjo ekspozitë është mbështetur nga programi B4Students, Fondacioni Mane dhe TEG, duke mundësuar një platformë të suksesshme për promovimin e punëve të studenteve të talentuar të Akademisë së Arteve. Veprat e “Seaside Painting" do të qëndrojnë të ekspozuara përgjatë gjithë muajit gusht në TEG. Ato mund të blihen drejtpërdrejt nga artistët, duke skanuar kodin QR që ndodhet respektivisht pranë secilës pikturë. Mos e humbisni këtë mundësi të veçantë për të eksploruar dhe mbështetur artin e të rinjve!




